Ky lajm definitivsht meriton të quhet lajm i mirë. Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës një ministër në detyrë gjobitet për shkak të shkeljes së ligjit. Është fjala për ministreshën pa portfol në Qeverinë e Kosovës z. Edita Tahiri. Siç raporton portali Infokus shkak për shqiptimin e gjobës në lartësi prej 50 eurove ështe shkelja e ligjit i cili ndalon pirjen e duhanit në ambientet publike. Ministresha Tahiri e njohur në mes tjerash edhe per deklaratën e saj në lidhje me fusnotën në emërtimin e shtetit kosovar të cilën ajo e krahasoi me një fjollë bore që do të shkrihet me rrezet e para të diellit njihet edhe si përdoruese e pasionuar e duhanit. Ky pasion si duket edhe e ka shtyrë ministreshën që të ndezë cigaren në ambientin e lokalit “Taverna Sofra bezi” edhepse kjo ishte e ndaluar në bazë të ligjit. Rasti në fjalë është konfirmuar nga Inspektori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.