Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”) Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Ja se si e shpjegon Faik Konica Ditën e Verës: “Dita e Verës është dita ne te cilën stërgjyshërit tanë, kur skish lindur Krishtërimi, kremtonin bashke me romaket dhe grekërit e vjetër perëndite e luleve, te shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si ne pikturë te Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyre, tu faleshin perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës…” Sipas shkrimtarit, kjo është një festë e vjetër e racës sonë. “Nuk i bëjnë dem njeriu, sjellin gëzim të kulluar në shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajat kanë një rast të rrallë për t’u dëfryer. Për më të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike, të holle e të rrallë…”, shkruan Konica